Kabineti i Osmanit i reagon Faton Pecit: ‘Darka e Lamës” është organizim nën patronatin e Presidencës

Kabineti i Osmanit i reagon Faton Pecit: ‘Darka e Lamës” është organizim nën patronatin e Presidencës

Zyra e Presidencës së Kosovës i ka reaguar organizimit të “Darkës së Lamës” nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Në një reagim nga këshilltari për medie i presidentes Osmani,  Bekim Kupina është thënë se “Darka e Lamës” është organizim nën patronatin e Presidencës.

Reagimi i plotë:

“Darka e Lamës”, e iniciuar nga presidenti historik dr. Ibrahim Rugova është traditë të cilën Presidentja Osmani e ka vazhduar çdo vit, përfshirë sivjet më 26 tetor 2024.

Çdo vit nderohen grupe të ndryshme, ndaj përgjatë kësaj pjese të mandatit të presidentes Osmani, kjo darkë është shtruar për: trupin diplomatik, Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymberi”, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve dhe më 26 tetor të këtij viti, me fëmijët dhe të rinjtë e fshatit SOS.

Ruajtja e kësaj trashëgimie është thelbësore për ta vazhduar traditën tonë kombëtare dhe institucionale. Në përputhje me vizionin e presidentit Rugova, “Darka e Lamës” është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e po ashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë.

Pra, ashtu siç është nisur nga presidenti Rugova, ashtu është vazhduar deri tash nga presidentja Osmani.

 

Bekim Kupina, këshilltar për medie

Share This