Juventus, Chiesa me valixhe në dorë

Juventus, Chiesa me valixhe në dorë

Juventus mund të reformojë skuadrën pas humbjes së shpresave për titullin.

Rendimenti në rënie i Federiko Kiezës dhe rritja e Kenan Yildiz sjellin dyshime për të ardhmen e ish-fiorentinit që mund të largohet, ashtu si dhe Pogba, Kostiç e Kean.

Tri ndeshjet e fundit, me vetëm një pikë të fituar, kanë ftohur ndjeshëm atmosferën te Juventus dhe kanë ulur besimin se skuadra bardhezi mund të sfidojë Interin në luftën për titull. Humbja me Udinezen, përveçse mund të ketë shuar përfundimisht shpresat për titull, por ka rikthyer edhe të gjitha dyshimet për Federiko Kiezën. Muajt e fundit kishin nisur bisedat për rinovimin, por rënia e rendimentit, shoqëruar edhe me shpërthimin e Kenan Yildiz mund të bëjë që bardhezinjtë të ndahen në verë nga ish-lojtari i Fiorentinës.

Kieza nuk është i vetmi me një pikëpyetje të madhe mbi shpinë. Juventus është ende në pritje për të mësuar kohëzgjatjen e dënimit të Paul Pogba, për të cilin prokuroria anti-doping ka kërkuar katër vjet skualifikim, por edhe me gjysmën e kësaj kohe vështirë se klubi mund ta presë. Moise Kean u dërgua që në janar te Atletico Madrid, por huazimi nuk u realizua vetëm për shkak të dështimit të vizitave mjekësore. Kontrata e tij skadon më 2025 dhe verën e ardhshme klubi mund të kërkojë sistemimin përfundimtar.

Filip Kostiç, që me Udinezen nuk luajti për arsye taktike, ka rënie të fortë në rendiment dhe qëndrimi te Juventus nuk është aspak i sigurt. Në janar pati oferta nga Arabia Saudite dhe nëse klubet arabe rikthehen edhe në verë, me siguri që klubi do t’i dëgjojë me vëmendje.

Share This