
Joachim Watzke mbron Klopp-in pas kalimit te Red Bull
Shefi i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke, ka reaguar sërish ndaj polemikave që ka shkaktuar emërimi i Jurgen Klopp si drejtor global i futbollit te Red Bull.
Largimi i Klopp nga Liverpool dhe kalimi te Red Bull ka zhgënjyer shumë tifozë, sidomos për shkak të ndikimit të kompanisë së pijes energjike në futbollin gjerman.
Megjithatë, Watzke, i cili ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me Klopp gjatë kohës së tij te Dortmund, ka dalë në mbrojtje të trajnerit legjendar.
“E kuptoj zhgënjimin dhe kritikat, por nuk i ndaj të njëjtat mendime”, ka thënë Watzke për ‘The Guardian’, raporton RTKLive.
“Vetëm sepse dikush ka qenë te Borussia Dortmund 10 vjet më parë, nuk do të thotë se kemi të drejtë ta gjykojmë. Jurgen është miku im dhe është një njeri i lirë”.
“Ai është një ekspert i jashtëzakonshëm i futbollit, ka një aurë të veçantë dhe aftësi për të frymëzuar njerëzit.”