Jo vetëm rasti Solomon, Tahir Batatina tentoi të bënte shtatë zëvendësime ndaj Trepçës ‘89

Jo vetëm rasti Solomon, Tahir Batatina tentoi të bënte shtatë zëvendësime ndaj Trepçës ‘89

E diela dukej se ishte “dita e vakive” në sportin kosovar, pasi fillimisht u arrestua sulmuesi i Dukagjinit Solomon derisa po futej në lojë, kurse në përballjen Trepça ’89 – Llapi, trajneri Tahir Batatina tentoi të bënte shtatë zëvendësime.

Llapi ishte në epërsi të dy golave ndaj skuadrës mitrovicase, mirëpo mospërqëndrimi deri në fund i kushtoi pasi pësuan humbje me rezultat 4:3 dhe njëkohësisht u eliminuan nga Kupa e Kosovës.

Megjithatë, një rast interesant ka ndodhur gjatë takimit me Batatinën që “harroi” rregullat e lojës dhe tentoi të bënte shtatë zëvendësime, por reagoi delegati i ndeshjes duke mos lejuar një gjë të tillë.

“Në minutën e 106 KF Llapi e kryen zëvendësimin, ku lojtari me numër 10 del nga loja dhe hyn lojtari me numër 77, cili ishte zëvendësim i rregullt. Mirëpo në të njëjtën kohë inkuadrohet dhe lojtari me numër 18 në vend të lojtarit me numër 19, i cili ishte zëvendësimi i 7-të por që ky futbollist largohet menjëherë nga ndeshja pas 5 sekondave me reagimin e delegatit të ndeshjes”, shkruhet ndër të tjera.

Llapi në vazhdime s’arriti t’i bëjë ballë presionit të skuadrës mitrovicase, duke pësuar dy gola të shpejtë dhe si pasojë edhe u eliminua nga ky kompeticion.

Tani, skuadrës së Batatinës i mbetet të luftojë në kampionatin kosovar nëse dëshiron ta sigurojë një vend në Evropë.

Share This