Jo vetëm Bayerni, “yllin” e kuqezinjve e duan edhe në Angli
Fundi i sezonit është afër, ndërsa në shtëpinë e Milanit po mendojnë seriozisht për të ardhmen.
Kryefjalë mbetet trajneri i ri, por jo me pak rëndësi ka e ardhmja e disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës.
Duke nisur nga portieri Mike Maignan. Madje mund të thuhet se francezi e ka të pasigurt qëndrimin në Itali. Ish-portieri i Lille ka shumë admirues, kjo falë formës së treguar te Milani.
Shtypi italian ka raportuar së fundmi se jo vetëm Bayern Munich interesohet për 28-vjeçarin, i cili pëlqehet shumë edhe në Angli. Francezi ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës gjatë “epokës” Pioli.
Kontrata me kuqezinjtë i përfundon pas dy vitesh, por edhe pse prej kohësh kanë nisur bisedimet për rinovimin e kontratës, palët nuk e kanë gjetur akoma gjuhën e përbashkët. Madje përflitet se janë shumë larg marrëveshjes.
Bayern Munich, që e ka piketuar si pasardhësin e Neuer, qëndron në “pole-position”, por Maignan mund të tundohet nga kalimi në Premier League. “Sirenat” angleze për të sapo kanë nisur.
Një nga “gardianët” më të mirë në qarkullim, po mbyll sezonin e tretë me “Djallin”, teksa numëron 110 ndeshje me Milanin në të gjitha kompeticionet. Me një titull kampion të fituar në edicionin 2021-2022.