Jo veç NATO, por as Partneriteti për Paqe nuk del të jetë afër për Kosovën: Tash lidhet krejt me dialogun
Ofertë zgjedhore e zotim qeveritar brenda mandatit: Do të anëtarësohemi në Partneritet për Paqe (Pfp) me NATO-n.
Gati në mbyllje të mandatit të Qeverisë së Albin Kurtit, kjo s’duket asgjëkundi në horizont, e as s’del të jetë në konsideratën e NATO-s.
Kështu konfirmoi vetë Boris Ruge, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Synimi përfundimtar i Kosovës për anëtarësim në NATO, sipas Ruge-s, nuk është një gjë aty matanë afër për të cilin ekzistojnë mundësitë të flitet në Aleancën e Atlantikut të Veriut tash për tash. Por, edhe më tepër, as në Partneritet për Paqe.
“Nuk mendoj se aktualisht jemi në një situatë kur mund të flasim për anëtarësim (në NATO)… Siç e dini, kjo është diçka që kërkon konsensus, duhet që 32 shtetet anëtare të NATO-s të votojnë për këtë dhe nuk jemi ende as ty”.
“Nuk jemi duke lëvizur drejt Partneritetit për Paqe tani për tani”, tha ai në një intervistë për “Klan Kosova”.
Çka Ruge mundi të flasë është se KFOR-i – që operon me
Rezolutë 12/44 dhe i ka të mishëruara në Kushtetutë të Kosovës kompetencat përfundimtare të sigurisë – ka rritur praninë e saj në Kosovë: 1 mijë trupa shtesë.
“KFOR-i është më i fuqishëm, ka më shumë kapacitete dhe prezencë të shtuar në veri të Kosovës, dhe mendoj se jemi në një situatë të mirë tani”.
Por, te çështja e Partneritetit për Paqe…
Hiç më larg se kohëve të fundit nga amerikanët u kumtua se edhe për “PfP” ka kushte: dialogu me Serbinë, Marrëveshjae Bazike/Ohrit, e që për palën kosovare përkthehet në zbatimin e Nenit 7: autonominë territoriale.
Ambasadorja e ShBA-së në NATO, Julianne Smith, e lidhi anëtarësimin evnetual të Kosovës në “PfP” saktësisht me dialogun.
“Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe”.
“Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“, tha Smith.
“Por, në këtë moment fokusi ynë është në rritjen e stabilitetit në rajon dhe duke e bërë këtë të kërkojmë progres edhe në iniciativën e udhëhequr nga BE“.
Në plan-programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, zotimi është anëtarësimi në Partneritet për Paqe dhe në organizata tjera ndërkombëtare.
“Thellimi i bashkëpunimit me NATO do të arrihet nëpërmjet intensifikimit të dialogut me NATO-n dhe përfshirjes në Partneritet për Paqe e në Kartën e Adriatikut”, thuhet në zotim.
Zëdhënësi i misionit të SHBA-së në NATO, Jeffery Adler, pati thënë para dy vitesh për Radion Evropa e Lirë, se SHBA-ja mbështet ambicien e Kosovës për t’u bërë anëtare e Partneritetit për Paqe; ndryshe nga tash që lidhet me dialogun me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë edhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s”, pati thënë Adler.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar anëtarësimin e vendit në “PfP” nëpërmjet një letre që i kishte dërguar presidentit amerikan, Joe Biden.
“Integrimi euroatlantik gjithmonë ka qenë qëllimi ynë, por sot, në kohën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian, ky është prioriteti kyç i sigurisë tonë kombëtare”, pati shkruar ajo.