
JEMEN – 68 viktima dhe 47 të plagosur pas sulmit amerikan në qendrën e migrantëve
Një sulm ajror amerikan që goditi një qendër paraburgimi për emigrantë afrikanë në Jemen, vrau të paktën 68 persona dhe plagosi 47 të tjerë, deklaruan rebelët Houthi të vendit.
Komanda Qendrore e SHBA-së, përgjegjëse për të gjitha operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, nuk pranoi të komentojë.
Ministritë e kontrolluara nga Houthitë thanë se 115 migrantë po mbaheshin në vendin e ngjarjes në provincën Saada.
Televizioni ”Al-Masirah”, i lidhur me rebelët, raportoi se ekipet e shpëtimit dhe të emergjencës po përballeshin me vështirësi “për shkak të shkatërrimit masiv të shkaktuar nga sulmi amerikan në qendrën e paraburgimit”.
Raporti pohon gjithashtu se një nga raketat nuk shpërtheu pas goditjes në vendin e synuar dhe se ekipet e specializuara po e trajtojnë atë me kujdes.
Ministria e Brendshme e qeverisë së panjohur ndërkombëtarisht të rebelëve Houthi dënoi “krimin e tmerrshëm të kryer nga agresioni amerikan në shënjestrimin e qendrës së pritjes për migrantët e parregullt”.
Ministria tha se qendra ishte nën mbikëqyrjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq dhe “priti 115 migrantë, të gjithë me kombësi afrikane”. /atsh/