Jashari pret në takim Scottin flasin mbi situatën e sigurisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur sot në takim Gjenerallejtënant Peter K. Scott, Zëvendës Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara në Napoli (DCOM JFCNP).
Gjeneral Jashari e ka informuar Gjeneralin Scott mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe në Republikën e Kosovës, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu Gjeneral Jashari e ka njoftuar Gjeneralin Scott për të arriturat e FSK-së në harmoni me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), dhe mbi zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së në fushat funksionale luftarake drejt arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të FSK-së.
Sipas njoftimit Gjeneral Jashari ka theksuar edhe kontributin e FSK-së në arenën ndërkombëtare në ruajtjen e paqes dhe sigurisë duke përfshirë dislokimet e FSK-së jashtë vendit.
Në takim u diskutua për mbështetjen e FSK-së për Ukrainën në linjë me objektivat e NATO-së dhe shteteve anëtare.
“Më specifikisht Gjeneral Jashari e informoi Gjeneralin Scott për kontributin e FSK-së në trajnimin e trupave të Ukrainës, për detyrat luftarake në operacionin “INTERFLEX” dhe trajnimin e kontingjenteve të Ukrainës në EOD. Gjeneral Jashari shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimin në mes të FSK-së dhe KFOR-it”, thuhet tutje në njoftim.
Gjenerali Scott ka përgëzuar Gjeneral Jasharin për punën dhe angazhimin në ngritjen dhe avansimin profesional të FSK-së, dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.
Në fund të takimit të dy gjeneralët janë pajtuar që në të ardhmen të rrisin më tutje bashkëpunimin.