“Jam i zhgënjyer”, Giroud pas penalltisë së humbur: Ndjehem keq për tifozët
Milan komplikoi rrugën në Champions League pas disfatës shtëpiake 1-3 ndaj Borussia Dortmund. Kuqezinjtë tashmë nuk e kanë më fatin e kualifikimit në këmbët e tyre dhe varen nga rezultati i ndeshjes mes Borussia Dortmund dhe PSG.
Ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë për italianët nëse Olivier Giroud nuk do të kishte gabuar nga pika e bardhë në startin e sfidës.
Francezi gaboi penalltinë dhe më pas miqtë kaluan në avantazh. Nëpërmjet një video të shpërndarë në rrjetet e tij sociale, Giroud tregon të gjithë dëshpërimin për penalltinë e humbur teksa firmos bluzën e një tifozi në dalje të qendrës stërvitore, Milanello.
“Ndjehesh keq kur gabon, më shumë edhe për tifozët. Pas gjithë asaj ndeshje dhe sakrifce që bëmë kundër PSG, jam vërtet i zhgënjyer”, theksoi Giroud.