“Jam i fokusuar tek Aston Villa”, Guardiola: Nuk mund të humbasim më pikë
Ishte nga ato sfida, që zakonisht përcaktojnë fituesit e titullit kampion dhe siç pritej dhuroi spektakël.
“Qytetarët” e Manchester City u përballën pasditen e së dielës, me “Topçinjtë” e Arsenal, me sfidën që u mbyll me rezultatin “e bardhë”, 0 me 0, duke lënë gjithçka të hapur deri në fundin e këtij sezoni, në garën për fitimin e Premier League.
Pas “Topçinjve”, tashmë “Qytetarët” e Pep Guardiola do të kenë një tjetër sfidë të vështirë, ku mbrëmjen e së mërkurës do të përballen me skuadrën e Aston Villa, ku e vetmja gjë që kërkohet janë tre pikët, të paktën kështu tha vetë tekniku spanjoll në konferencën për shtyp, para sfidës, ku konfirmoi edhe mungesat e Kyle Walker dhe Ederson.
“Tani na mbetet vetëm të fitojmë ndeshjet, nuk mund të humbasim më pikë. Aston Villa luan për kualifikimin në Champions League, në fakt të gjitha skuadrat luajnë për diçka dhe ndeshjet e fundit janë shumë të vështira për t’u menaxhuar. As eksperienca nuk bën punë në të tilla situata.
Jam shumë i fokusuar tek Aston Villa dhe po mendoj vetëm si të fitoj ndeshjen, pa menduar për sfidat e ardhshme.Ata luajnë shkëlqyeshëm. Për mua Unai Emery nuk është një surprizë, ka kualitet dhe di si të menaxhojë skuadrën.
Mungesat? Mendoj se John Stones ka shanse që të luajë ndërsa Ake, Walker dhe Ederson nuk do të jenë të gatshëm”, u shpreh strategu spanjoll, i cili duket se dëshiron të fitojë një tjetër titull, të Premier League, në karrierën e tij.