Izraeli tërheq trupat e gjashtë pengjeve në Gazë

Izraeli tërheq trupat e gjashtë pengjeve në Gazë

Izraeli tha se ka tërhequr trupat e pajetë të gjashtë pengjeve në Gazë, përfshirë një djali të ri izraelito-amerikan, i cili ishte bërë një prej pengjeve më të njohur të marrë nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pasi prindërit e tij u takuan me liderët botërorë dhe bënë thirrje për lirimin e tij.

Ushtria tha të gjashtë personat u vranë pak para se të shpëtoheshin nga forcat izraelite. Tërheqja e trupave të tyre nxiti thirrje për protesta masive kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin shumë familjarë të pengjeve dhe shumica e publikut të gjerë izraelit e fajësojnë për dështim të lirimit të tyre përmes një marrëveshjeje me Hamasin, që do t’i jepte fund luftës 10-mujore. Negociatat për një marrëveshje të tillë janë zvarritur për muaj të tërë.

Radikalët e Hamasit morën peng Hersh Goldberg-Polin, 23 vjeç, dhe katër pengje të tjerë në një festival të muzikës në jug të Izraelit, gjatë sulmit të 7 tetorit, sulm që nxiti luftën në Gazë. Hersh Goldberg-Polin nga Kalifornia kishte humbur krahun e majtë gjatë një sulmi me granatë. Kur në prill Hamasi publikoi një video të tij, aty u pa që ai e kishte humbur krahun e majtë, gjë që nxiti protesta në Izrael, përmes së cilave iu kërkua Qeverisë të bëjë më shumë për lirimin e tij dhe pengjeve të tjera.

Ushtria identifikoi edhe pengjet e tjera: Ori Danino 25 vjeç, Eden Yerushalmi, 24 vjeç, Almog Sarusi 27 dhe Alexander Lobanov 33 vjeç, të cilët u morën peng në festivalin e muzikës. Po ashtu, është tërhequr edhe trupi i Carmel Gat 40 vjeç, që u rrëmbye nga komuniteti Beri.

Ushtria tha se trupat u gjetën në një tunel në qytetin jugor të Gazës, Rafah, rreth 1 kilometër larg nga ku u shpëtua i gjallë javën e kaluar pengu tjetër, , Qaid Farhan Alkadi 52 vjeç.

“Sipas informacioneve të para, ata u vranë mizorisht nga terroristët e Hamasit pak para se ne të arrinim te ta”, tha për gazetarët zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari. /rel

 

Share This