Izraeli sulmon objektiva në Liban pas sulmit vdekjeprurës në Lartësitë Golan
Forcat ajrore izraelite sulmuan një numër objektivash të Hezbollahut në Liban gjatë natës – pas një sulmi vdekjeprurës me raketa në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli, për të cilat IDF-ja tha se ishte kryer nga milicia e mbështetur nga Irani.
“Midis objektivave ishin depo armësh si dhe infrastruktura luftarake”, tha ushtria izraelite sot në Telegram, duke publikuar pamjet që thuhet se tregojnë sulmet gjatë natës.
Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Të paktën 12 fëmijë dhe të rinj u vranë dje gjatë një sulmi me raketa – që goditi një fushë futbolli në qytetin Druze të Majdal Shams në lartësitë e Golanit.
Izraeli fajëson Hezbollahun për sulmin dhe u zotua të hakmerret, ndërsa milicia shiite ka mohuar të ketë pasur ndonjë lidhje me sulmin.
Përfaqësuesit e OKB-së u kanë bërë thirrje të dyja palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale – pasi sulmi mund të nxisë një luftë të plotë në rajon.
Izraeli dhe Hezbollahu – aleat i Hamasit – kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.
Intensiteti i këtyre përplasjeve kohët e fundit është rritur ndjeshëm. Ka pasur viktima nga të dyja palët, duke rritur shqetësimet se konflikti mund të përhapet më gjerë në rajon.
Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit, një pllajë shkëmbore me rëndësi strategjike, në vitin 1967 dhe aneksoi zonën në vitin 1981, megjithëse konsiderohet si territor sirian i pushtuar nga Izraeli sipas ligjit ndërkombëtar.
Më shumë se 50 000 njerëz jetojnë në zonë, me pak më shumë se gjysma e tyre izraelitë hebrenj, së bashku me druzët dhe një pakicë të vogël alavite.
Majdal Shams, qyteti që u sulmua është i banuar kryesisht nga druzët, një komunitet fetar arabishtfolës. /atsh