Izraeli sulm ajror në Libanin verior, vriten 21 persona
Të paktën 21 persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi ajror izraelit në veri të Libanit.
Sulmi goditi një ndërtesë banimi në Aitou, një fshat me mbizotërim të krishterë larg zonave ku ushtria izraelite ka kryer mijëra sulme që synonin grupin e armatosur islamik shiit Hezbollah.
Sulmi erdhi pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu (Netanyahu) u zotua të “vazhdojë të godasë Hezbollahun pa mëshirë kudo në Liban – përfshirë Bejrutin”.
“Gjithçka është sipas konsideratave operative. Këtë e kemi dëshmuar së fundmi dhe do të vazhdojmë ta dëshmojmë edhe në ditët në vijim”, deklaroi ai.
Netanjahu po fliste gjatë një vizite në një bazë ushtarake në Izraelin verior, ku një dron i lëshuar nga grupi i mbështetur nga Irani vrau katër ushtarë izraelitë dhe plagosi dhjetëra të dielën mbrëma.
Ushtria tha se po hetonte se si droni iu shmang sistemeve të tij të sofistikuara të mbrojtjes ajrore dhe goditi objektin e trajnimit të Brigadës Golani pranë qytetit të Binyamina.
Ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse të Hezbollahut ndaj Izraelit në më shumë se një vit luftimesh ndërkufitare të shkaktuara nga lufta në Gaza.
Hezbollahu tha se ishte një përgjigje ndaj sulmeve vdekjeprurëse izraelite në Liban, për të cilat ministria e shëndetësisë e vendit thotë se kanë vrarë pothuajse 1,700 njerëz gjatë muajit të kaluar.