Izraeli nis sulmet në Liban, Hezbollahu përgjigjet duke lëshuar qindra raketa
Ushtria izraelite ka deklaruar se avionët e saj luftarakë po godasin objektivat e Hezbollahut në Liban pasi zbuluan lëvizje për të lëshuar raketa në Izrael.
“Në një akt vetëmbrojtjeje për të hequr këto kërcënime, IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) po godet objektivat e terrorit,” tha zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari.
Izraeli tha se civilët libanezë ishin paralajmëruar që të largoheshin menjëherë nga zonat ku vepronte Hezbollahu, një grup mysliman shiit i mbështetur nga Irani.
Menjëherë më pas, Hezbollah tha se kishte nisur një sulm në shkallë të gjerë me dron mbi Izraelin në përgjigje të vrasjes së muajit të kaluar të komandantit të lartë ushtarak të grupit.
Në të gjithë Izraelin verior sirenat paralajmëruese të raketave në hyrje u dëgjuan këtë të diel herët. Në një deklaratë, IDF tha se Hezbollahu “sapo ka lëshuar mbi 150 predha nga Libani drejt territorit izraelit”. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thirrur në një takim urgjent të kabinetit të tij të sigurisë. Zyra e Netanyahut tha se kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant po “menaxhonin situatën” nga baza ushtarake e IDF në Tel Aviv.
Ndërkohë, Hezbollah tha në një deklaratë se sulmi i tij me dron ndaj Izraelit ishte në përgjigje të “agresionit brutal sionist, i cili çoi në martirizimin e… Fuad Shukr”.
Komandanti i lartë ushtarak i grupit shiit u vra në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin e Libanit Bejrut në korrik. Izraeli ka shkëmbyer zjarr me grupin militant me bazë në Liban që nga fillimi i luftës tetorin e kaluar me Hamasin në Rripin e Gazës. /rtsh/