
Izraeli lejon ndihmat në Gaza pas bllokadës 11-javore, OKB: Një pikë uji në oqean
Izraeli ka lejuar pesë kamionë të OKB-së që të transportonin ndihma humanitare, përfshirë ushqim të hyjnë në Rripin e Gazës, pas 11 javësh bllokadë.
Shefi humanitar i OKB-së e mirëpriti këtë veprim, por theksoi se ishte vetëm “një pikë uji në oqeanin e asaj që u nevojitet urgjentisht 2.1 milionë palestinezëve në territorin e shkatërruar nga lufta”, ku ekspertët globalë po paralajmërojnë për një zi buke që po afrohet.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se vendimi i tij për të lejuar përkohësisht kamionët erdhi pas presionit nga aleatët në Senatin e SHBA-së.
“Nuk duhet të arrijmë në një situatë urie, si nga pikëpamja praktike ashtu edhe nga ajo diplomatike”, theksoi ai në një video në përgjigje të kritikave për këtë veprim në Izrael.
Netanyahu tha se shpërndarja e ushqimit do të vazhdonte vetëm derisa ushtria izraelite dhe kompanitë private të kishin ngritur qendra për të shpërndarë ndihma sipas një plani të mbështetur nga SHBA-të, i cili është refuzuar nga OKB-ja.
Ai deklaroi gjithashtu se forcat izraelite do të “marrin kontrollin e të gjitha zonave” të Gazës si pjesë e ofensivës së zgjeruar tokësore kundër Hamasit që ushtria izraelite filloi të dielën.
Izraeli ndaloi të gjitha dërgesat e ndihmës humanitare dhe furnizimeve tregtare në Gaza më 2 mars dhe rifilloi ofensivën e tij ushtarake dy javë më vonë, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor me Hamasin. /rtsh/