Izraeli kërcënon liderin suprem të Iranit: Ndal sulmet, ose do kesh fundin e Sadam Hyseinit

Izraeli kërcënon liderin suprem të Iranit: Ndal sulmet, ose do kesh fundin e Sadam Hyseinit

Izraeli ka kërcënuar liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, se do të ketë fundin tragjik të presidentit të Irakut Sadam Hysein, nëse nuk ndal sulmet ndaj shtetit hebraik. Sadam Hysein ishte president i Irakut, i cili u rrëzua nga pushteti dhe u ekzekutua me varje.

“E paralajmëroj diktatorin iranian që të mos vazhdojë të kryejë krime lufte dhe të mos qëllojë me raketa qytetarët izraelitë. Ai duhet të kujtojë se cili ishte fati i një diktatori në një vend fqinj me Iranin, i cili zgjodhi këtë rrugë kundër shtetit të Izraelit”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.

Teksa Izraeli dhe Irani po shkëmbejnë sulme për të pestën ditë me radhë, ku shumë qytetarë nga të dyja shtete kanë humbur jetën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se po kërkon një “fund të vërtetë” të konfliktit , jo vetëm një armëpushim.

“Ne po kërkojmë diçka më të mirë se një armëpushim. Ne nuk po kërkojmë thjesht një armëpushim”, tha Trump.

Një ditë më parë, Trump paralajmëroi se “të gjithë banorët duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”, ndërsa ka thirrur një takim të plotë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Evakuimi i një qyteti me 10 milionë banorë “nuk duket shumë i realizueshëm”, tha një ish-drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ku shtoi se “kjo mund të jetë një taktikë për të ushtruar presion mbi regjimin iranian”. /rtsh/

Share This