Izraeli godet sërish Teheranin

Izraeli godet sërish Teheranin

Izraeli paralajmëron evakuim në pjesë të Teheranit përpara sulmeve të reja.

Mbi 224 të vrarë në Iran që nga e premtja, ndërsa tensionet përshkallëzohen. Civilët raportojnë dëshpërim, frikë dhe kolaps të plotë përderisa përpiqen që të evakuohen.

Situata e sigurisë në Teheran ka marrë një kthesë dramatike pas raportimeve për sulme të reja ajrore izraelite në kryeqytetin iranian. Ushtria izraelite ka paralajmëruar civilët në Distriktin 3 të qytetit që të largohen menjëherë, ndërsa forcat izraelite synojnë objektiva të infrastrukturës ushtarake në këtë zonë.

Ky paralajmërim është shoqëruar me një hartë të publikuar në rrjetin X, ku theksohet se prania e qytetarëve në atë pjesë “rrezikon jetën e tyre”.

Sipas informacioneve të fundit, Distrikti 3 i Teheranit është një nga më të mëdhenjtë në qytet, me mbi 330,000 banorë dhe me një rëndësi të veçantë strategjike. Aty ndodhet edhe selia e transmetuesit shtetëror IRIB. Forcat izraelite pretendojnë se kanë kontroll të plotë ajror mbi kryeqytetin iranian.

Përplasja ushtarake mes dy vendeve ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore. Ministria e Shëndetësisë e Iranit deklaron se të paktën 224 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga e premtja, përfshirë edhe civilë në një spital në perëndim të vendit. Ndërkohë, raketat iraniane kanë depërtuar sistemin mbrojtës izraelit “Iron Dome”, duke çuar numrin e të vdekurve në Izrael në 24. Nga terreni në Iran, raportet dëshmojnë për një atmosferë frike dhe pasigurie. Pamjet nga rrjetet sociale tregojnë radhë të gjata makinash dhe bllokim trafiku, ndërsa banorët përpiqen të largohen nga kryeqyteti, përkundër thirrjeve zyrtare që publiku të mos panikohet.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur sot synimet e Izraelit për “eliminimin e kërcënimit bërthamor dhe raketor” nga Irani, ndërsa ka falënderuar forcat ajrore për kontrollin e qiellit të Teheranit. /RTK/

Share This