Izraeli godet 120 objekte të Hezbollahut, Libani raporton 53 të vdekur
Forcat Ajrore izraelite njoftuan se kishin kryer sulme ajrore në rreth 120 vende në Liban me dhjetëra avionë luftarakë pa dhënë detaje mbi viktimat.
Më herët, Ministria libaneze e Shëndetësisë raportoi të paktën 53 të vdekur dhe 100 të plagosur nga sulmet izraelite në jug dhe lindje të vendit.
Ajo nuk specifikoi nëse viktimat ishin civilë apo luftëtarë të Hezbollahut.
Ushtria izraelite tha se “objektivat ushtarake” të milicisë shiite libaneze Hezbollah ishin sulmuar, kryesisht në Libanin jugor, por edhe thellë brenda territorit libanez.
Sulmet thuhet se goditën selinë e Hezbollahut, objektet ushtarake dhe infrastrukturën e përdorur për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve ndaj Izraelit.
Pas gati një viti përleshjesh ndërkufitare, Izraeli nisi një fushatë masive ajrore mbi objektivat anembanë Libanit në fillim të kësaj jave, me qëllimin e deklaruar për të shtyrë pas milicinë libaneze të Hezbollahut për të mundësuar kthimin e dhjetëra mijëra banorëve të evakuuar nga Izraeli verior në mes të luftimeve. /atsh/