Iu dha lamtumira e fundit Isuf Ajetit, kreu i FFK-së vlerëson lart kontributin e tij
Sot në fshatin Llovcë të Gjilanit iu dha lamtumira e fundit Isuf Ajetit, veprimtar, avokat dhe bashkëpunëtor i shquar shumëvjeçar i FFK-së.
Në ceremoninë e varrimit i pranishëm ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe pjesëtarë të shumtë të komunitetit të futbollit.
I pari i FFK-së e vlerësoi lart figurën dhe profesionalizmin Ajetit gjatë dy dekadave të punës në FFK. Ai tha se Isufi ishte njeri i mirë shumë i arsyeshëm dhe i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për çdo rast që federata kishte nevojë.
“Isufi ishte një jurist profesionist dhe praktik. E ka përdorur logjikën, përvojën dhe profesionalizmin e tij për të hartuar aktet tona normative, rregulloret dhe vendimet e FFK-së ndër vite. Ai ishte këshilltar i imi juridik dhe i FFK-së, por edhe pjesë e shumë komisioneve, duke bërë një punë të madhe”, ka thënë Ademi.
Ai i shprehu ngushëllime familjes dhe farefisit të Isuf Ajetit në emër të komunitetit të futbollit, teksa tha se atë do ta kujtojmë gjithmonë si një profesionist e njeri me virtyte të larta.
“Ai do të jetojë me FFK-në përmes veprave të tij, rregulloreve të hartuara, por edhe përmes djalit të tij, Iliazit, i cili me sukses po e kryen profesionin e gjyqtarit të futbollit”, ka shtuar Ademi.
Isuf Ajet i ndërroi jetë dje, teksa ishte pjesë e FFK-së që nga viti 2003, si kryetar e anëtar i Komisionit të Garave, por edhe i komisioneve juridike.
Përveç kontributit të tij në futboll, Isuf Ajeti u dallua edhe si veprimtar për liri e pavarësi, ish-drejtor i Fondit Pensional dhe avokat i suksesshëm.