Italia vazhdon t`i besojë trajnerit Spalletti edhe pas eliminimit
Luciano Spalletti do të vazhdojë të drejtojë ekipin kombëtar të Italisë, pavarësisht eliminimit zhgënjyes në Euro 2024.
Këtë e ka konfirmuar Gabriele Gravina, kreu i Federatës së Futbollit të Italisë.
Italia është eliminuar në fazën e 1/16-të të finales, pasi është mposhtur 2-0 nga Zvicra në Berlin të shtunën mbrëma.
Kampionët në fuqi të Evropës, të drejtuar nga Spalletti, që zëvendësoi Roberto Mancini verën e kaluar, nuk arritën të tregojnë formën e tyre më të mirë në këtë turne.
Por pavarësisht këtij dështimi, Gravina ka theksuar rëndësinë e mbështetjes për trajnerin aktual.
“Spalletti duhet të ketë besimin tonë, ai duhet të fillojë punën, pasi pas gjashtëdhjetë ditësh fillon Liga e Kombeve”, ka thënë ai.
Italia do të nisë fushatën e saj në Ligën e Kombeve kundër Francës në Paris më 6 shtator dhe do të përballet gjithashtu me Belgjikën dhe Izraelin në Grupin A2.