
Istogu kampion i Kosovës, fiton dramën në Samadrexhë
Istogu e ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar në konkurrencën e femrave.
Pasi e fitoi Kupën e Kosovës, Istogu e mbrojti titullin e kampionit të Kosovës.
Titullin, istogaset e siguruan të shtunën në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë. Pas një drame të vërtetë, Istogu e mposhti Samadrexhën me rezultat 28:25.
Ndeshja u vendos vetëm pas dy vazhdimeve nga pesë minuta. Në vazhdime, mysafiret shfaqën dukshëm më tepër se lojtaret vendase.
Samadrexha nisi ndeshjen furishëm duke krijuar epërsi bindëse. E kontrolloi lojën në pjesën e parë, që përfundoi 10:6. Istogu u afrua gradualisht në pjesën e dytë dhe ia doli të barazojë në 21:21 në minutën e fundit.
Samadrexha fitoi penallti pak para fundit të minutës së 60-të, por gjuajtjen e Mirjeta Dinollit e ndali Houyem Nassraoui. Kështu ndeshja shkoi në vazhdime, ku Istogu ishte më i qetë dhe më i koncentruar.
Dijana Ujkiq i shënoi 8 gola për Istogun. Gjashtë i shtoi Astou Ndiaye.
Te Samadrexha, Tina Hetemi i kishte tetë gola, ndërsa nga gjashtë i shënuan Jennifer Abreu e Mirjeta Dinolli.
Istogu, që drejtohet nga Faruk Shala, e ka fituar titullin e pestë në histori, ndërsa serinë finale të plejofit e përfundoi 2:0.
Trofeun e kampionit, kapitenes së Istogut, Blerta Ahmetxhekaj, ia dorëzoi presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.