Ismajli: Kualifikimi në Evropian, ëndërr e bërë realitet
2023 ishte një vit fantastik për qendërmbrojtësin kuqezi Ardian Ismajlin, i cili është kthyer në një pikë referimi tek Empoli, një titullar i padiskutueshëm, i paprekshëm edhe në sytë e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e legjionarëve kuqezi, për Ismajlin flitet pak në Serie A, kur bëhet fjalë për merkato, pasi dëshira e tij është të vijë tek Empoli, të zhvillojë aty një sezon pozitiv, pasi në verë është edhe “Euro2024”.
Në vigjilje të sfidës kundër Lazios, Ismajli zbuloi objektivat e tij: “Në këtë moment, gjëja më e rëndësishme për mua është të qëndroj në Serinë A dhe të arrij diçka historike për Empolin. Sigurisht, të shkoja në Evropian është një sukses i madh. Do të luaj për herë të parë në një Evropian, kjo ishte ëndrra ime e madhe dhe tani është bërë realitet”. Ismajli duke u ndalur më pas te sfida me Lazion, ku përballë do të ketë Ciro Immobilen, rival me të cilin do të përballet edhe në Evropian.
“Kjo është Seria A, një nga kampionatet më të vështirë në botë dhe të gjithë sulmuesit janë të fortë. Ashtu siç kemi bërë deri më sot, do të bëjmë më të mirën për të ndalur sulmet e tyre”, ka deklaruar Ismajli.