Ish presidenti Trump takon kryeministrin Netanyahu në Florida
Donald Trump mirëpriti të premten kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në takimin e tyre të parë ballë për ballë në gati katër vjet, ndërsa ata po përpiqen të riparojnë aleancën e rëndësishme politike që ishte prishur pasi zoti Netanyahu uroi demokratin Joe Biden për fitoren ndaj zoti Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Trump e priti Netanyahun në shkallët jashtë shtëpisë së tij në Palm Biç të Floridës për ta përshëndetur udhëheqësin izraelit në ditën e pestë të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës së Izraelit me Hamasin nëntë muaj më parë.
Udhëtimi i Kryeministrit Netanyahu në Florida pason fjalimin e tij në Kongres dhe takimet e ndara me Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Kamala Harris, e cila pritet të jetë rivalja e re demokrate e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Si Trump ashtu edhe Netanyahu kanë interesa të forta politike për të kapërcyer dallimet e tyre. Si president, zoti Trump shkoi përtej paraardhësve të tij në përmbushjen e dëshirave kryesore të zotit Netanyahut nga Shtetet e Bashkuara.
Për Trumpin, tani kandidat i republikanëve për president, takimi mund ta nxjerrë atë si një aleat dhe burrë shteti, si dhe mund të intensifikojë përpjekjet e republikanëve për ta portretizuar veten si partia më besnike ndaj Izraelit.
Kjo përpjekje ndodh ndërsa ndasitë mes amerikanëve mbi mbështetjen e Shtetet e Bashkuara për luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë kanë filluar të thellohen pas dekadave të mbështetjes së fortë dypartiake për Izraelin, përfituesin më të madh të ndihmës amerikane.
Për Netanyahun, riparimi i marrëdhënieve me Trumpin është një veprim i domosdoshëm, duke pasur parasysh perspektivën që ai mund të bëhet sërish President i Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni është furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin.
Për të dy, takimi do të vërë në dukje për qytetarët e vendeve respektive portretizimin që ata synojnë t’i bëjnë figurës së tyre si udhëheqës të fortë që kanë arritur të realizojnë akte me rëndësi në skenën botërore dhe se mund ta bëjnë përsëri një gjë të tillë. /VOA/