
Irani: Sulmi kishte për qëllim SHBA-në, jo Katarin
Irani ka deklaruar se sulmi i ndërmarrë së fundmi kishte për qëllim objektivat amerikane dhe jo Katarin.
Në një deklaratë zyrtare, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit tha se sulmi “shkatërroi” bazën ajrore amerikane në Katar, por nuk përbënte asnjë rrezik për Katarin apo popullin e tij.
Deklarata, e cituar nga mediat shtetërore iraniane, nënvizon se “numri i raketave të përdorura ishte i njëjtë me numrin e bombave që SHBA kishte përdorur mbi tre objekte bërthamore iraniane”. Irani theksoi gjithashtu se mbetet i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të ngrohta dhe historike me Katarin.
Ndërkohë, qeveria e Katarit ka njoftuar pak çaste më parë se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe neutralizuar të gjitha raketat iraniane.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog diplomatik mes palëve të përfshira. /TCH/