Irani: SHBA tradhtoi besimin tonë për marrëveshjen bërthamore. Nëse i bashkohet sulmeve izraelite, do hakmerremi

Irani: SHBA tradhtoi besimin tonë për marrëveshjen bërthamore. Nëse i bashkohet sulmeve izraelite, do hakmerremi

Zëvendësministri i Jashtëm iranian Majid Takht Ravanchi tha se nëse SHBA-të vendosin t’i bashkohen Izraelit në sulmin ndaj Iranit, Teherani nuk do të ketë “zgjidhje tjetër” përveçse të hakmerret.

“Nëse amerikanët vendosin të përfshihen ushtarakisht, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të hakmerremi kudo që të gjejmë objektivat e nevojshëm për t’u ndërmarrë veprime. Kjo është e qartë dhe e thjeshtë. Sepse ne po veprojmë në vetëmbrojtje”, tha Ravanchi në një intervistë për CNN.

Ai tha gjithashtu se udhëheqja e vendit të tij tani dyshon në “sinqeritetin e amerikanëve” duke pasur parasysh kohën e sulmit të parë të Izraelit.

“Dy ditë para se të fillonte raundi tjetër, ndodhi agresioni. Pra, kjo është një tradhti e diplomacisë. Kjo është tradhti e besimit tonë ndaj amerikanëve. Ne duhet të jemi ata që duhet të kritikojmë mënyrën se si u trajtuam nga amerikanët, jo anasjelltas”, tha ai, duke iu referuar bisedimeve për marrëveshjen bërthamore që ishin duke u zhvilluar me SHBA-në.

Sipas zëvendësministrit të jashtëm, Teherani nuk i është drejtuar SHBA-së ose Izraelit për të rinisur bisedimet bërthamore që kur shpërthyen armiqësitë.

“Nuk po i drejtohemi askujt”, tha ai, “po mbrojmë veten. Edhe pse gjithmonë kemi promovuar diplomacinë nuk mund të negociojmë nën kërcënime. Nuk mund të negociojmë ndërsa populli ynë është nën bombardime çdo ditë. Pra, nuk po lutemi për asgjë, thjesht po mbrojmë veten”.

Gjithashtu Irani ka vendosur kufizime të përkohshme në të gjithë vendin për aksesin në internet, ndërsa Ministria e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e vendit ka përmendur shqetësime për sigurinë.

“Për shkak të keqpërdorimit të rrjetit kombëtar të komunikimit nga armiku agresor për qëllime ushtarake dhe për të rrezikuar jetën dhe pronën e njerëzve të pafajshëm, kufizimet e aksesit në internet janë vendosur përkohësisht me vendim të autoriteteve kompetente”, tha ministria në një deklaratë. /rtsh/

Share This