
Irani kërcënon me hakmarrje masive kundër Izraelit në rast sulmi
Irani kërcënoi Izraelin me hakmarrje masive në rast të një sulmi ndaj objekteve bërthamore.
”Forcat e armatosura iraniane do të synojnë objektet sekrete bërthamore të Izraelit në rast të një përshkallëzimi të tillë ushtarak”, sipas një deklarate nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të transmetuar nga radioja shtetërore.
”Informacioni mbi vendndodhjen e objektivave izraelite u mor përmes një operacioni”, thuhet në deklaratë.
Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), paralajmëroi Izraelin kundër sulmit ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i thënë transmetuesit izraelit ”i24news” se ato objekte janë “jashtëzakonisht të mbrojtura” dhe do të kërkonin “forcë shumë, shumë shkatërruese” për t’i dëmtuar.
Ai shtoi se një sulm mund të ketë një “efekt bashkimi” dhe mund të përforcojë vendosmërinë e Iranit për të kërkuar armë bërthamore ose për t’u larguar nga Traktati i Mospërhapjes, duke cituar bisedat që pati me zyrtarët iranianë.
Sekreti që rrethon aktivitetet e mëparshme bërthamore të Iranit është në qendër të bisedimeve në IAEA. Gjermania, Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të rrisin zyrtarisht presionin me një rezolutë para bordit të IAEA-s.
Qeveritë perëndimore kanë frikë se udhëheqja iraniane mund të jetë duke kërkuar të ndërtojë armë bërthamore, pavarësisht mohimeve të ashpra të Teheranit.
SHBA-ja dhe Teherani po zhvillojnë negociata mbi një marrëveshje për të kufizuar programin bërthamor të Iranit.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump e kishte kërcënuar Iranin me forcë ushtarake nëse palët nuk mund të arrijnë një marrëveshje.
Besohet gjithashtu se Izraeli po përgatitet për një sulm të mundshëm. /atsh/