
IRAN/Të paktën 25 të vdekur dhe 800 të plagosur pas shpërthimit të portit Shahid Rajaee
Të paktën 25 persona vdiqën dhe rreth 800 të tjerë u plagosën, pas një shpërthimi në portin jugor iranian të Shahid Rajaee, raportuan mediat iraniane dje në mbrëmje.
Të paktën gjashtë persona rezultojnë gjithashtu të zhdukur pas shpërthimit.
Fuqia e shpërthimit, vala e të cilit u ndje deri në 50 kilometra përreth qytetit portual, shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e portit.
Një thirrje urgjente iu bë banorëve të provincës Hormuzgan për të dhuruar gjak për të ndihmuar të plagosurit.
Shpërthimi, fillimisht u raportua se ishte shkaktuar nga një shpërthim në një depo karburanti në port.
“Detaje të mëtejshme të shpërthimit, veçanërisht shkaku dhe numri i saktë i viktimave, do të publikohen pasi të përfundojë hetimi”, tha zëdhënësja e qeverisë Fatemeh Mohajerani për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA.
“Ne duhet t’i përmbahemi informacionit zyrtar dhe të mos përhapim raporte spekulative”, tha Mohajerani.
“Dy ministra ishin në vendngjarje për të vlerësuar situatën së bashku me ekspertët – sipas udhëzimeve të presidentit Masoud Pezeshkian”, shtoi Mohajerani.
Pezeshkian ka urdhëruar një hetim të plotë për shkaqet dhe trajtimin më të mirë të mundshëm për të plagosurit rëndë.
Shahid Rajaee, pranë qytetit të madh Bandar Abbas, ndodhet në një nga zonat e rëndësishme ekonomike të Iranit – dhe përpunon më shumë se një të tretën e tregtisë detare të vendit. /atsh/