Inzaghi sqaron largimin nga Interi: Koha e duhur për një sfidë të re

Inzaghi sqaron largimin nga Interi: Koha e duhur për një sfidë të re

Trajneri i ri i Al-Hilal, Simone Inzaghi, ka folur për herë të parë rreth vendimit për t’u larguar nga Interi, vetëm pak ditë pas humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve nga PSG-ja.

Në media ishte përfolur se Inzaghi kishte nisur bisedimet me klubin saudit edhe para finales së zhvilluar në Munich, por ai me Al-Hilal firmos pas finales së ‘Championsit’.

“Nëse ky është çmimi që duhet të paguaj për katër vite te Interi, jam i lumtur ta bëj,” tha Inzaghi.

“Kam marrë shumë më shumë sesa kam dhënë, nga tifozët, drejtuesit, lojtarët. E di që do të më mungojë gjithçka, madje edhe kritikat më të padrejta”.

“Ama kam dhënë gjithçka dhe besoj se, për të mirën e Interit, ndarja ishte zgjidhja e duhur, edhe pse e dhimbshme për të gjithë”, ka theksuar ai.

Strategu italian shtoi se kishte nevojë për një sfidë të re.

“Pas disa vitesh te Interi, ndjeva se ishte koha të dal nga zona ime e rehatisë. Doja të ndryshoja mentalitetin, stilin e lojës dhe të përballesha me sfida të reja. Nuk kishte ndonjë klub tjetër që doja të drejtoja, zgjodha Al-Hilal”, pohoi Inzaghi.

Simone Inzaghi do të debutojë tek Al-Hilal sonte kundër Real Madridit, në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube.

Share This