Inzaghi planifikon “turn over”, derbi kuqezi në “Via del Mare”
Interi ka hedhur pas krahëve ndeshjen ndaj Atleticos së Madridit në Champions League dhe është rikthyer të mendojë për kampionatin, aty ku të dielën do të duhet të përballet me Leccen në “Via Dell Mare”.
Duke pasur parasysh kalendarin e ngjeshur dhe impenjimin e madh në Champions, Inzaghi ka planifikuar disa ndryshime në formacion, teksa mediat pranë klubit zikaltër raportojnë se nga minuta e parë në Lecce pritet të luajnë Kristjan Asllani, Davide Frattesi e Bisseck.
Të tre futbollistët kanë luajtur pak këtë sezon, por kanë bërë shumë mirë sa herë që Inzaghi i ka hedhur në fushë, ndaj të dielën do të kenë misionin të shtojnë edhe tri pikë të tjera në “llogarinë e kampionatit”, duke lënë pushim disa prej titullarëve.
Me Asllanin në formacion, merr jetë edhe një “mini-derbi” kuqezi në stadiumin e Lecces, pasi me këta të fundit pritet të zbresë në fushë si zakonisht nga minuta e parë, mesfushori tjetër i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani.
Sfida mes Lecces dhe Interit do të zhvillohet të dielën në orën 18:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e SuperSport…