Inzaghi: Në fushë nuk “luajnë” precedentët

Inzaghi: Në fushë nuk “luajnë” precedentët

Interi vjen në derbin e radhës pas katër fitoreve radhazi, por ky fakt nuk i jep asnjë siguri Simone Inzagit, i cili në konferencën e sotme për shtyp la të kuptohej se kjo statistikë nuk ka shumë rëndësi. “Të them të drejtën nuk mendoj shumë mbi këtë fakt pasi në fushë nuk luajnë precedentët. Ne jemi të përqëndruar për ta fituar këtë ndeshje”, tha tekniku zikaltër.

“Më vjen shumë mirë për faktin se të dy ekipet po kalojnë një formë mjaft të mirë. Si Milani dhe Interi vijnë në këtë duel pas një starti mjaft të mirë që kanë bërë në kampionat”, tha trajneri zikaltër, i cili evidentoi faktin se të dy ekipet e qytetit të Milanos kanë provuar vetëm shijen e fitores.

Gjatë fjalës të tij ai i dha përgjigje gazetarëve, të cilët e pyetën nëse do të ndikonte shumë në këtë takim fakti se të dy ekipet kanë ndryshuar jo pak sa i përket organikës gjatë merkatos verore.

“Të dy ekipet kanë ndryshuar disa lojtarë, por pa humbur formën”, ishte komenti i Inzagit.

Trajneri i Interit siguroi tifozët se për lojtarin më të mirë të Milanit, Leaon, do të merrte masat e duhura si dhe nënvizoi faktin se dueli i të shtunës nuk ka në dorë fatet e kampionatit edhe pse do të ndikonte shumë në humorin e qytetit ditën pasuese.

Share This