Inzaghi lavdëron Asllanin: Fat për trajnerin të ketë një lojtar të tillë
Interi fiton 1-0 në “Franchi” ndaj Fiorentinës në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të kampionatit italian, duke konfirmuar vendin e parë në renditje.
Ndeshja u vendos me një goditje me kokë në pjesën e parë të Lautaro Martinez.
Trajneri i zikaltërve Simone Inzaghi foli për kanalet zyrtare të klubit pas këtij suksesi: “Pas 1-0 patëm shumë mundësi në të cilat mund të kishim bërë më mirë dhe në pjesën e dytë krijuam shumë kundërsulme ku zakonisht japim më shumë cilësi. Nuk mund t’u them asgjë këtyre djemve sepse kemi bërë mirë deri tani dhe sepse e dimë që të gjitha ndeshjet janë të vështira, përfshirë edhe atë kundër Fiorentinës. Le të mendojmë nga ndeshja në ndeshje sepse është një periudhë e rëndësishme dhe intensive. Skuadra ka dhënë shumë dhe tani do të ketë dy ditë pushim sepse e meritojnë.
Ne e dinim që Firence do të ishte një etapë e rëndësishme për ne. Asllani bëri mirë. Është fat për një trajner që ka një lojtar të tillë që bëri një ndeshje të shkëlqyer. Jam i lumtur që ai dha asistimin për golin e Lautaros. Me Juventusin do të jetë një ndeshje mes dy skuadrave që po bëjnë një ecuri të shkëlqyeshme. Ne përballemi me një ekip që po ecën shumë mirë dhe për këtë arsye do të duhet të përgatitemi siç bëmë në ndeshjen e parë. Tani luajmë në shtëpi me tifozët që për ne janë shumë të rëndësishëm”, ka thënë mes të tjerash Inzaghi.