Atletico Madrid po përgatitet të presë Interin për ndeshjen e kthimit të fazës së 1/8-ve të finales së Ligës së Kampionëve.
Trajneri i spanjollëve Diego Simeone është gati për këtë takim.
“Nuk duhen fjalë, duhen fakte. Nesër do të luajmë një ndeshje të rëndësishme kundër një rivali që është ndër më të mirët në Evropë. Kam besim absolut te lojtarët e mi, e di që nesër do të jetë një ndeshje e mire. I kam idetë shumë të qarta, po e kuptoj se çfarë po ndodh me ne. Humbëm 1-0 në Champions League kundër ekipit më të mirë për momentin dhe tani po kërkojmë hakmarrje.
Futbolli padyshim nuk fal: kur bën një gabim, humbet. Shpresojmë të jemi në gjendje të rritemi duke përfituar nga ajo që ndodhi në ndeshjen e parë”, ka thënë tekniku i Atleticos së Madridit në konferencën për shtyp në prag të takimit që do të transmetohet nesër drejtpërdrejt në Radio Televizionin Shqiptar.
“Kam besim te lojtarët, e di se çfarë duhet të bëjmë për t’u përballur me një rival të madh. Çfarë do të jetë më e rëndësishmja? Përqendrimi. Kjo ndeshje kërkon përqendrim shumë të lartë, skuadra që ka më shumë do të fitojë kualifikimin. Nuk mund të shpjegoj se si do të luajmë, por do të nxjerrim një ekip konkurrues. Griezmann? Rikthimi i tij na jep më shumë zgjidhje dhe mundësi nga pikëpamja taktike. Le të shpresojmë që ai të luajë lojën që dëshiron të luajë,” ka thënë mes të tjerash Simeone.