Interi, gati për hapin e madh drejt kreut
Një pikë e vetme ndan tri skuadra në Grupin D dhe ndeshja e Interit me Salzburgun mund të marrë rëndësi të veçantë për kualifikimin.
Italianët vijnë pas fitores 3-0 në kampionat me Torinon, e teta në 11 ndeshjet e fundit, në të cilat kanë vetëm një humbje.
Shqetësues mbetet fakti që në ndeshjet brenda Inter nuk ka të njëjtin stabilitet si ato jashtë. Në tre takimet e fundit në San Siro, skuadra e Inzaghit i ka provuar të tre rezultatet.
Megjithatë, Inter nuk ka humbur kurrë në shtëpi përballë skuadrave austraike në të gjitha kompeticionet evriopiane, me 7 fitore në 8 ndeshje.
Ndërkaq, Salzburg humbi 0-1 në shtëpi me LASK në fundjavë dhe ka humbur terren në luftën për titull. Austriakët nuk janë në formë të mirë, por në Champions League kanë një fitore që e arritën në ndeshjen e parë, kundër Benfikës.
Kjo e fundit pret Real Sociedad me detyrimin për fitore nëse dëshiron të vazhdojë më tej, pasi është e vetmja skuadër pa pikë pas dy ndeshjeve të para të grupit.
Spanjollët janë skuadër në formë dhe do të zbresin në fushë pa iu druajtur emrit të kundërshtarit, pasi kanë arritur fitore në Salzburg dhe një barazim ku meritonin më tepër kundër Interit në ndeshjen e parë.