“Inter ndryshe nga Milani dhe Napoli”, Sacchi: Zikaltërit ndryshojnë kur aktivizohen “peshat e rënda”
Inter fitoi me shifrat 0-4 në transfertë ndaj Salernitanës duke u rikthyer te suksesi pas disfatës së fundit ndaj Sassuolos.
Trajneri Simone Inzaghi kishte praktikuar një mini-rotacion duke pasur në fokus edhe ndeshjen e mesjavës në Champions League ndaj Benficas.
Një nga ata që kishte përfunduar në stol ishte Lautaro Martinez. Argjentinasi sapo u aktivizua ndryshoi fatet e takimit dhe shënoi të katërt golat e zikaltërve në stadiumin “Arechi”.
Pikërisht individualitet janë ato që bëjnë diferencën te Interi, të paktën sipas asaj që thekson legjenda e trajningut italian Arrigo Sachi. Ky i fundit shprehet se zikaltërve iu ndryshohet loja sapo në fushë aktivizohen “peshat e rënda”.
“Edhe pse rezultati duket pak i ekzagjëruar, sërish mendoj se Inter e meritoi fitoren ndaj Salernitanës. Skuadra e Inzaghit bazohet shumë tek individët dhe sapo “peshat e rënda” u aktivizuan në fushë, u kuptua menjëherë se çfarë ishin në gjendje të bënin.
Lautaro shënoi katër gola, ishte i shkëlqyer. Inter praktikon një futboll ndryshe nga ai i Milanit dhe Napolit, por ka në organikë lojtarë që mund ta zgjidhin ndeshjen në çdo moment. Pastaj, zikaltërit janë një skuadër me shumë nivel atletik dhe me shumë eksperiencë”, u shpreh Sachi.