Inter-Lautaro, rinovimi në “ngërç”, mësoni arsyen
Padyshim “Zikaltërit” e Inter janë një ndër protagonistët më të mëdhenj të këtij sezoni, me djemtë e teknikut Simone Inzaghi, që pas fitimit të Superkupës së Italisë, tashmë janë vetëm pak javë larg sigurimit të titullit kampion, si dhe janë me “një këmbë”, në çerekfinalet e UEFA Champions League, pas fitores, 1 me 0, në përballjen e parë të 1/16-ve, ndaj Atletico Madrid.
Të shumtë janë lojtarët protagonistë të këtij ekipi, mirëpo, me 25 gola e 5 asistime në 33 përballjet, kapiteni i ekipit, Lautaro Martinez po drejton ekipin drejt lavdisë e për këtë aryse, Presidenti i Inter, Steven Zhang synon që të rinovojë sa më shpejt kontratën e argjentinasit, e cila skadon më 30 qershor 2026.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, Inter ka propozuar rinovimin e kontratës deri në 2028-ën me një pagë prej 8 milionë eurosh në vit, megjithatë, përfaqësuesi i sulmuesit nuk është i kënaqur me këtë propozim, ndërsa nuk pranon që Lautaro të rinovojë për më pak se 10 milionë euro në sezon, gjë që e shtyn për më tej firmosjen e kontratës së re, të paktën deri në gjetjen e një shifre të kënaqshme nga të dyja palët.