Integrimi në BE, Rama: Me një shpejtësi si asnjë vend tjetër

Integrimi në BE, Rama: Me një shpejtësi si asnjë vend tjetër

Shqipëria përgatitet në dy muajt e ardhshëm të shkojë në Bruksel për të hapur edhe dy grup-kapituj të tjerë për negociatat drejt Bashkimit Europian.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë sot me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy” ku deklaroi se, “Shqipëria është duke hapur me një shpejtësi si asnjë vend tjetër, dyert e korridorit të gjatë të Bashkimit Evropian”.

“Na kanë ardhur dy letra, njëra në fund të janarit dhe tjetra në fillim të shkurtit, nga Presidenca polake e BE për të hapur dy grup-kapituj të tjerë, dhe në mars ose në fillim të prillit, do të shkojmë në Bruksel për të hapur edhe dy grup-kapitujt e tjerë”, tha Rama.

Rama deklaroi se, “Komisionerja e Zgjerimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih e tha qartë se duam të mbyllim negociatat me Shqipërinë brenda 2027-ës dhe nëse në 2028-ën marrim vendimin politik të Këshillit Europian për t’u bërë anëtarë të rinj të BE, të gjitha këto fjalë që thua ti i merr era, sepse nuk të pranon njeri në BE me këto krahasime që i bën ti vendit tënd, komplet i helmuar nga “llumi i kënetës” që e dinë qeverisjen një lojë me porta të vogla tek oborri i lagjes. Shqipëria është tjetër sot që të gjithë po e shohin e po i marrin gjithnjë e më shumë e po shohin hajrin”. /ATSH/

Share This