
Infantino: Racizmi është krim, jo vetëm një problem futbolli
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, në fjalimin e tij në Kongresin e FIFA-s 2025, preku çështje kyçe me theks të veçantë luftën kundër racizmit në futboll.
“Dua t’i falënderoj të gjitha 211 Shoqatat anëtare të FIFA-s, veçanërisht 210 prej tyre që janë të pranishme sot, për guximin që treguan vitin e kaluar në mbështetje të pozicionit tonë global kundër Racizmit,” u shpreh Infantino, raporton “FCInterNeës.it”.
Sipas tij, miratimi i Kodit të ri Disiplinor të FIFA-s, do të jetë një mjet i fuqishëm për të luftuar racizmin në nivel global.
Gjithashtu, Infantino përmendi krijimin e Panelit të Zërit të Lojtarëve, ku do të marrin pjesë legjenda të njohura të futbollit, për të forcuar rolin e lojtarëve në këtë nismë.
Tutje, presidenti i FIFA-s foli edhe për rëndësinë e edukimit, duke nënvizuar se temat si racizmi dhe diskriminimi tashmë janë pjesë e programit “Futbolli për Shkollat”.
“Le të jemi të qartë, racizmi nuk është vetëm një problem që duhet trajtuar në futboll, ai është një problem i shoqërisë. Racizmi është një krim,” deklaroi ai.
“Prandaj, po punojmë ngushtësisht me qeveri të ndryshme dhe me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, për të siguruar që lufta kundër racizmit të pasqyrohet në ligjet penale të çdo vendi.”
Fjalimi i Infantino-s tregon një angazhim të qartë për një qëndrim më të ashpër dhe të përbashkët global në luftën kundër diskriminimit në sport dhe më gjerë.