Incident para ndeshjes Espanyol-Barcelona: 13 persona të lënduar pas përplasjes së një automjeti pranë stadiumit

Incident para ndeshjes Espanyol-Barcelona: 13 persona të lënduar pas përplasjes së një automjeti pranë stadiumit

Një incident shqetësues ka ndodhur përpara fillimit të derbit ndërmjet Espanyolit dhe Barcelonës në stadiumin ‘RCDE’, ku një automjet ka përplasur disa persona në zonat përreth stadiumit, duke shkaktuar lëndimin e të paktën 13 personave.

Sipas “Catalunya Radio”, drejtuesja e automjetit ishte përballur me sjellje kërcënuese dhe goditje ndaj makinës nga turma e tifozëve. Kjo situatë e ka bërë atë të humbë kontrollin dhe të përshpejtojë për disa sekonda, duke përplasur njerëzit që ndodheshin në rrugë, transmeton Rekordi.net.

Hetimet paraprake tregojnë se incidenti nuk ishte i qëllimshëm, por një reagim impulsiv i drejtueses së makinës pas tensionit të krijuar nga turma.

Shërbimi i Emergjencës Mjekësore (SEM) reagoi menjëherë duke dërguar tetë njësi në vendngjarje.

Të lënduarit janë trajtuar në vend dhe sipas autoriteteve, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Pas fillimit të ndeshjes, përmes sistemit të zërit në stadium, publiku u informua për incidentin, gjë që shkaktoi shqetësim dhe hutim mes tifozëve. Për këtë arsye, takimi u pezullua përkohësisht, por rifilloi pas disa minutash.

Disa tifozë të Espanyolit zgjodhën të largoheshin nga stadiumi pas marrjes së lajmit. Në veçanti, zona pas portës së Joan Garcia mbeti thuajse bosh për pjesën tjetër të ndeshjes. /Rekordi.net

Share This