Ilir Daja pas barazimit me Prishtinën: Janë tre veta që shajnë vazhdimisht, prishin imazhin e Prishtinës
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se ndeshja me Prishtinën ishte e barabartë, ndërsa është ankuar që tre tifozë vendas e kanë sharë vazhdimisht prapa bankinës ku qëndron ai.
Daja ka mbetur i befasuar edhe me sjelljen e një polici, prej të cilit ka kërkuar që t’i largojë tifozët që bënin sharje.
“Prishtina bëri futboll të mirë. Por loja ishte thuajse e barabartë. Barazimi ishte rezultati më i drejtë i asaj që ofroi loja”, ka thënë Daja lidhur me ndeshjen.
Ai ka vlerësuar atmosferën, por është ndalur te tre individët.
“Janë tre veta që shajnë vazhdimisht. Të prishin këtë lloj imazhi të Prishtinës, me praninë e policisë, vëzhguesit, është e papranueshme. Më pas ishte një polic që bëri një gjest që nuk i shkon policit. Këta tre në mënyrë të vazhdueshme pas bankinës time kanë qëndruar”.
“Edhe policia duhet të ndërhyj për t’i nxjerr jashtë stadiumit. Unë do ta kërkoj të drejtën time. Tifozët e tjerë të Prishtinës i përshëndes pasi e kanë përkrahur skuadrën e tyre”, ka thënë Daja pas ndeshjes. /Telegrafi/