Ilir Daja, “makthi” i Dinamos së Zagrebit
Humbja e Dinamos së Zagrebit të enjten përballë kampiones së Kosovës, Ballkanit, ka lënë një shije shumë të hidhur në mediat dhe opinionin publik kroat.
Është media kroate “24sata.hr”, që ka pasur një numër të madh shkrimesh për këtë ndeshje, por midis tyre spikat një ku theksohet se “ideator i fitores së bujshme të Ballkanit është trajneri shqiptar Ilir Daja, 56 vjeç, i cili pa dyshim është bërë specialist për ta mposhtur kampionin e Kroacisë”.
“Në dhjetë vjetët e fundit, Dinamo humbi vetëm një herë fazën e grupeve të veprimtarie evropiane dhe ishte viti 2017, kur Skënderbeu i eliminoi nga “play-off”-i i Ligës së Evropës dhe pikërisht Ilir Daja ishte trajner i klubit nga Shqipëria”, shkruan media në fjalë, duke vijuar: “Në ndeshjen e parë në stadiumin ‘Maksimir’ ishte 1-1 dhe një javë më vonë, Skënderbeu barazoi 0-0 në shtëpi dhe dëboi Dinamon nga Evropa.
Ishte sezoni i parë pas 11 vjetësh, në të cilin Dinamo nuk luajti në fazën e grupeve. Klubi shqiptar më pas përfundoi i fundit në grup me 5 pikë të mbledhura. Ishte një nga fitoret më të mëdha në karrierën e trajnerit Ilir Daja deri më sot. Ai ka drejtuar vetëm klube të Kosovës dhe të Shqipërisë, madje tri herë fitoi titullin e kampionit të Shqipërisë me 3 klube të ndryshme, Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun.
Ai ka edhe dy tituj në Kosovë me skuadrën e Ballkanit. Atëbotë, trajner i “bluve” ishte Mario Cvitanoviq, ndërsa luanin lojtarët si Livakoviç, Moro, Sigali, Soudani, Olmo e Fernandes dhe kjo eksperiencë e hidhur vetëm se e forcoi Dinamon”, përfundon media kroate “24sata.hr”.