IKSHPK: Gjatë javës së fundit janë regjistruar 13 raste të reja të fruthit

IKSHPK: Gjatë javës së fundit janë regjistruar 13 raste të reja të fruthit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për një rritje shqetësuese të rasteve të fruthit në vend. Gjatë javës së fundit janë regjistruar 13 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 112.

Të dhënat e IKShPK-së tregojnë se përhapja e sëmundjes është përshpejtuar ndjeshëm gjatë muajit të fundit. Më 10 korrik ishin raportuar 62 raste, ndërsa deri më 10 gusht janë regjistruar edhe 50 raste të reja.

Numri më i madh i rasteve është në Prishtinë me 37 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 29, Ferizaj me 12, Kaçaniku me 7 dhe Obiliqi me 6 raste.

Nga tri raste janë raportuar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri. Nga një rast është evidentuar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti.

Përballë rritjes së rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat më të prekura. Vetëm gjatë javës së fundit, në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj, janë vaksinuar me vaksinën MMR 147 fëmijë të cilët kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të dyshimta të fruthit, përfshirë temperaturën e lartë, skuqjen ose ndryshimet në lëkurë, kollën, rrufën dhe konjunktivitin. Personat që shfaqin këto simptoma rekomandohet të paraqiten menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze. Për këtë arsye, IKShPK kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe komunitetit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, raporton rtk.

Tutje theksohet se vaksinimi me MMR mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e fëmijëve dhe personave të pavaksinuar, si dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Share This