IDF vret komandantin e njësisë së Hezbollahut në një sulm ajror në Liban
Ushtria izraelite tha se vrau dje një komandant të grupit militant libanez Hezbollah në një sulm ajror në Libanin jugor.
Komandanti i Hezbollahut u vra në një sulm ajror pranë qytetit bregdetar të Tirit. Ministria libaneze e Shëndetësisë kishte njoftuar më herët se një person ishte vrarë në një sulm izraelit mbi një motoçikletë në zonë.
Ushtria izraelite tha se ai ishte një komandant i Forcave Radwan, një njësi elitare brenda milicisë Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Hezbollahu nuk komentoi fillimisht për sulmin apo pretendimet izraelite.
Hezbollahu tha më herët në një deklaratë se kishte lëshuar një breshëri raketash në zona të reja – në veri të Izraelit – për t’u hakmarrë për një sulm ndaj al-Kfour që vrau dhe plagosi kryesisht civilë sirianë.
Burimet e Hezbollahut thanë se zonat e Ayelet HaShahar ishin vënë në shënjestër për herë të parë dje.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se ishin hedhur 55 predha.
“Numri i të vdekurve nga sulmi ajror izraelit në një zonë në Libanin jugor u rrit në 10, mes tyre ishin dy fëmijë”, tha Ministria libaneze e Shëndetësisë dhe media shtetërore.
“Të vrarët ishin kryesisht shtetas sirianë”, tha ministria.
Ushtria izraelite tha se forcat ajrore kishin sulmuar një depo armësh të milicisë së Hezbollahut në zonën Natabtiyeh.
“IDF gjithashtu goditi me artileri për të eliminuar një kërcënim në zona të tjera të Libanit jugor”, tha ushtria.
“Raportet se civilët u plagosën si rezultat i sulmit janë në shqyrtim”, tha ushtria izraelite.