“Ibra është e kaluara”, Maignan para sfidës ndaj PSG: Te Milan dua të fitoj gjithçka
Mbrëmjen e së martës, “Djajtë” e Milanos do të zhvillojnë përballjen e 4-t të fazës së grupeve të Champions League, teksa do të presë në mitikun “San Siro”, “gjigantët” francezë të Paris Saint-Germain, ndeshje e cila pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e “kuqezinjve” në këtë kompeticion.
Siç e do zakoni një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca e zakonshme për shtyp, ku përveç teknikut të Milan, Stefano Pioli i pranishëm ishte edhe kapiteni Mike Maignan, i cili prej kohësh është një nga pikat kyçe të kësaj skuadre.
Francezi është pyetur se nëse pas largimit të Zlatan Ibrahimovic, a ndjehet ai si Ibra në dhomën e zhveshje dhe portieri theksoi se Milan ka lider tjetër pas largimit të suedezit, e më tej foli dhe për të ardhmen, ku theksoi se dëshiron të vazhdojë punën te “kuqezinjtë” e Italisë dhe se synon të fitojë trofeun “Yashin” dhe “Topin e Artë” në të ardhmen.
“Unë jam Mike dhe Ibra është Ibra. Unë jam një lider natyral, jap më të mirën nga vetja. Ne humbëm Ibrën, i cili ishte lider, por ky ekip ka drejtues të tjerë. Unë kam shumë respekt për të, por e kaluara është e kaluara. Më pëlqen të jem këtu. Nuk kemi filluar të flasim për rinovimin sepse mendoj se nuk është momenti ideal si për mua ashtu edhe për klubin. Unë gjithmonë dua të fitoj dhe nëse do mund të fitoj çmimin ‘Yashin’ dhe ‘Topin e Artë’ nuk do të përmbahem”, u shpreh “gardiani” francez i portës.