IAEA paralajmëron për rrezikun e një aksidenti bërthamor në Ukrainë

IAEA paralajmëron për rrezikun e një aksidenti bërthamor në Ukrainë

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) paralajmëroi dje për rrezikun e vazhdueshëm të aksidentit bërthamor në Ukrainë pas rritjes së sulmeve ajrore ruse, kohët e fundit.

“Është e qartë se rreziqet për sigurinë bërthamore vazhdojnë të jenë shumë reale dhe gjithmonë të pranishme. Ekipet e mia raportojnë se kjo ishte dita më intensive e alarmeve ajrore që ishte përjetuar që nga fundi i vitit të kaluar”, tha shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, gjatë vizitës së tij njëditore, në Kiev.

Ai tha se prania e agjencisë në objektet bërthamore mbetej thelbësore për të ndihmuar në parandalimin e një incidenti bërthamor.

Ekipet e ekspertëve të IAEA-s të vendosura në dy nga centralet bërthamore operative të Ukrainës duhej të strehoheshin deri në tre herë gjatë një dite – pas një numri jashtëzakonisht të lartë paralajmërimesh për sulme ajrore.

Grossi tha gjithashtu se ishte e rëndësishme të fillonin përgatitjet për rindërtimin e ardhshëm të infrastrukturës energjetike të Ukrainës, një proces në të cilin IAEA mund të luajë një rol të rëndësishëm.

IAEA ka luajtur një rol qendror në monitorimin dhe ruajtjen e gjendjes dhe sigurisë së centraleve bërthamore të Ukrainës – që nga fillimi i pushtimit të Rusisë.

Ajo dërgon rregullisht ekipe ekspertësh në vendet operative të reaktorëve në Rivne dhe Khmelnytskyi dhe ka një prani të përhershme në centralin bërthamor Zaporizhia – i cili është pushtuar nga trupat ruse që nga viti 2022 dhe është mbyllur për arsye sigurie.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në X se çdo përpjekje ruse për të rinisur funksionimin e centralit Zaporizhia pa përfshirjen e Ukrainës ishte “absurde dhe e rrezikshme” dhe bëri thirrje për akses të papenguar të IAEA-s në vend.

Rusia ka synuar vazhdimisht centralet dhe infrastrukturën energjetike të vendit në një përpjekje për të ndërprerë furnizimin me energji. /atsh/

Share This