I dërguari amerikan në Bejrut për bisedime me zyrtarët libanezë
I dërguari amerikan Amos Hochstein ishte në Bejrut për bisedime që synojnë arritjen e një zgjidhjeje për konfliktin përgjatë kufirit Izrael-Liban, pjesë e një përpjekjeje diplomatike që riktheu në rajon edhe Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, me qëllim arritjen një armëpushimi në Rripin e Gazës.
Hochstein u tha gazetarëve se kishte patur një takim “dobishëm” me kryetarin e parlamentit të Libanit Nabih Berri dhe se gjatë qëndrimit në Liban ai do të bisedonte me anëtarët e qeverisë, ushtrinë dhe këdo tjetër që është i gatshëm të punojë që vendi të rikthehet në rrugën e “sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies ekonomike”.
Ai vuri theksin tek Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në fund të luftës së fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut në 2006 dhe përfshin thirrjen që Hezbollahu të tërheqë luftëtarët e tij në veri të lumit Litani të Libanit dhe që Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Libani.
I dërguari amerikan Hochstein tha se askush nuk bëri ndonjë përpjekje për ta zbatuar Rezolutën, duke shtuar se vetëm angazhimi i palëve për zbazimin e saj, nuk mjafton. Ai përsëriti se synimi është që të ndërtohet besimi tek të dyja palët se Rezoluta do të zbatohet dhe të garantohet që konflikti të mos përsëritet brenda një muaji apo një viti.
“Qytetarët e Libanit, si të gjithë në rajon, duan të shkojnë në shtëpi, të ndërtojnë një të ardhme paqësore, të sigurt dhe të begatë për veten dhe familjet e tyre”, tha zoti Hochstein.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u nis të hënën për një vizitë një javore në Lindjen e Mesme në përpjekje për të rigjallëruar procesin e negociatave për arritjen e armëpushimit në Gazë dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi në një kohë kur Izraeli po planifikon një sulm hakmarrës ndaj Iranit.
Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller, Sekretari Blinken do të diskutojë gjatë vizitës së tij planet për periudhën pas konfliktit dhe të theksojë nevojën “për gjetjen e një zgjidhjeje që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre të lirë nga tirania e Hamasit”, siç tha ai.
Ndërkohë, ushtria izraelite kërkoi falje të hënën për vrasjen e tre ushtarëve libanezë në një sulm në Libanin jugor.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se sulmi i së dielës goditi një automjet të ushtrisë libaneze dhe se Izraeli nuk vepron kundër ushtrisë libaneze.
Ushtria libaneze nuk ka luajtur rol në konfliktin, i cili është përshkallëzuar gjatë muajit të kaluar, pasi Izraeli zgjeroi sulmet ajrore dhe trupat izraelite ndërhynë në jug të Libanit.