
Hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit! Trump thirrje palëve: Mos e shkelni atë
Ka hyrë në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit. Lajmi është konfirmuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili teksa njoftoi përmes rrjetit social Truth Social se armëpushimi sapo ka hyrë në fuqi, u bëri thirrje të dyja palëve që ta respektojnë e të mos e shkelin marrëveshjen.
“Armëpushimi tani është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni atë!”, shkruan Trump.
Një armëpushim i mundshëm mes Irzaelit dhe Iranit, dy vende të cilat prej më shumë se një jave janë në luftë me njëra-tjetrën, u njoftua mbrëmjen e djeshme nga presidenti amerikan, i cili shprehej se dy vendet kishin rënë dakord për një armëpushim të plotë.
“Është rënë dakord plotësisht midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një ARMPUSHIM TË PLOTË dhe TOTALE (përafërsisht brenda 6 orësh nga tani, kur Izraeli dhe Irani të jenë tërhequr dhe të kenë përfunduar misionet e tyre të fundit në zhvillim e sipër!),” shkroi Trump mbrëmjen e djeshme.
Por pak pas këtij njoftimi, qytetarët izraelitë u u zgjuan nga tingujt e alarmeve për raketa në telefona, duke u paralajmëruar që tiu drejtoheshin strehimoreve.
Izraeli lëshoi gjashtë alarme duke paralajmëruar për valë të ndara raketash iraniane gjatë natës dhe deri në mëngjesin e së martës sipas orës lokale, në orët para se të hynte në fuqi një armëpushim i brishtë midis dy vendeve.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan vazhdimisht në të gjithë Izraelin, ndërsa Irani qëlloi me breshëri të shumta raketash drejt vendit, duke vrarë të paktën katër persona në qytetin jugor të Beer Sheva. /rtsh/