Hutia brenda LVV-së për votat për formimin e qeverisë

Hutia brenda LVV-së për votat për formimin e qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse, doli partia e parë, ajo nuk mund ta formojë e vetme qeverinë e re. Asaj i duhen edhe 13 deputetë shtesë për të formuar një ekzekutiv të brishtë me 61 ligjvënës.

Deri më tani asnjë nga partitë politike shqiptare në vend nuk kanë dhënë sinjale që janë të gatshme të bashkëpunojë me LVV-në për formimin e institucioneve të reja.

Deputetja e rizgjedhur e LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, konfirmoi se partia fituese aktualisht nuk i ka numrat për formimin e institucioneve të reja.

“Aktualisht janë 8 nga komunitet jo shumicë, edhe Limaj ka shprehur gatishmërinë për 3 deputetët e vet, bëhen 59, duhen edhe dy deputetë për një shumicë të thjeshtë parlamentare. Me trendin aktual nuk mund të kem parashikim pozitiv. Dua të besoj që do i kemi, por po e shoh me vështirësi”, tha ajo në një intervistë për Euronews Albania.

Dyshime se LVV-ja i ka numrat e nevojshme për formimin e qeverisë shprehu edhe numri dy i LVV-së, Glauk Konjufca.

Konjufca tha se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

Konjufca tha se LVV-ja ka pasur synim që në zgjedhjet e 9 shkurtit të fitonte 500 mijë vota, në mënyrë që të drejtojë e vetme qeverinë e ardhshme. Por, sipas tij, rezultati zgjedhor ka treguar se një gjë e tillë nuk është e mundshme.

Ndryshe nga Kusari – Lila e Konjufca, deputetët e rizgjedhur të LVV-së gjatë procesit të regjistrimit si deputetë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës shprehën optimizmin e tyre se institucionet e reja do të formohen me 15 prill.

Ky konfuzitet në mesin e deputetëve të LVV-së për numrat për formimin e qeverisë, sipas analistit politik, Visar Ymeri, po e tregon gjendjen e “panikut” dhe të “pasigurisë” në raport me formimin e institucioneve të reja.

“Ka deklarata përjashtuese njëra me tjetrën të përfaqësuesve të LVV-së. Ka deklarata kontradiktore, Mimoza Kusari-Lila thotë se nuk i kemi numrat, ndërsa deputetë e tjerë të LVV-së thonë se janë numrat. Glauk Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës tha se nuk janë numrat, në të njëjtën ditë Albulena Haxhiu tha se janë numrat”, ka thënë Ymeri në një intervistë për RTV Dukagjini.

Votën pro Qeverisë Kurti 3 deri më tani e kanë konfirmuar kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës, Elbert Krasniqi, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç, kryetari i Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës (PREBK), Albert Kinolli, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, kryetarja e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi, kryetari i Koalicionit Rasim Demiri, Artan Asllani nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim.

Krasniqi, Rashiç, Rexhepi e Damka janë ministra të qeverisë në detyrë, ndërsa Asllani ka shërbyer si këshilltar i Kryeministrit.

Në kuadër të takimeve konsultative me përfaqësues politikë të komuniteteve joshumicë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, Kurti takoi edhe kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha. Megjithatë Zyra e Kryeministrit nuk dha sinjale që i njëjti ka konfirmuar votën pro Qeverisë Kurti 3.

Në anën tjetër, Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, nuk ia ka dhënë konfirmimin Kurtit nëse do ta mbështesin për mandat të tretë. Sipas tyre, kryeministri nuk konfirmoi nëse do t’i plotësojë kërkesat e tyre për komunitetet që përfaqësojnë, boshnjakë dhe egjiptianë.

Kërkesat e Baljes janë krijimi i një komune boshnjake, reforma në arsim dhe tretmani i barabartë me të gjitha partitë e tjera që kanë nga një deputet.

E kërkesat e Berishës, janë për investime në infrastrukturë për komunitetin egjiptianë, investime për shkollim, por edhe në aspektin ligjor pasi që ka diskriminim.

Si Balje, ashtu edhe Berisha e kanë lënë të hapur mundësinë e pajtimit në takimet e ardhshme para seancës konstituive që pritet të mbahet më 15 prill.

Ndryshe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u tregua kategorike, duke refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi me LVV-në në legjislaturën e 9-të të Kuvendit të Kosovës.

“Jo, nuk shkojmë në koalicion, në asnjë formë, pikë”, tha ai i bindur gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

Në vlerësimin e tij PDK-ja dhe LVV-në nuk përputhen në pothuajse “asgjë”, andaj, sipas tij, PDK-ja nuk bën koalicion me LVV-në as në skenarin kur asaj i takon posti i kryeministrit.

Përkundrazi PDK-ja po synon që si partia e dytë të punojë për të formuar një qeveri të partive opozitare, në rast se LVV-ja dështon në krijimin e institucioneve të reja.

“Si partia e dytë më e madhe ne do të ndërmarrim hapat e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve. Ne do të punojmë që të japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica. Nëse nuk mundet partia e parë të formojë institucionet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta bëjë qeverinë e re”, tha kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas procesit zgjedhor.

Kategorik ndaj LVV-së u treguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, megjithatë la të nënkuptohet se partia e saj me mbi 17 për qind të votave të fituara nuk do të jap “dritë të gjelbër” as një koalicioni të gjerë opozitar për të formuar qeverinë e radhës.

“Nëse populli vendos të na mbajë në opozitë, ne do të qëndrojmë në opozitë”, tha ai.

Çdo mundësi bashkëpunim me partinë e parë e ka hedhur poshtë edhe kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – NISMA Socialdemokrate, Ramush Haradinaj.

Në vlerësimin e tij qeverinë e re duhet ta formojnë partitë opozitare, meqë shumicën e ka opozita (52 mandate).

“Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese, por besoj ka gatishmëri që të ecim”, deklaroi Haradinaj.

Ndryshe nga Haradinaj, një qëndrim më pozitivë për mundësinë e një koalicioni me LVV-në dha partneri i koalicionit, Fatmir Limaj, i cili siguroi tri deputetë brenda koalicionit.

Limaj bëri një prerje duke deklaruar se AAK-ja e NISMA ndonëse garuan brenda një koalicioni, janë parti të ndara, andaj edhe nuk e kanë të domosdoshme të votojnë njëjtë.

Duke e vënë në pah kontekstin nacional, Limaj nuk e mohoj as mundësinë që të ulet në një tavolinë me Kurtin për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit.

“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj e ulna, për tema nacionale”, tha ai.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka caktuar 15 prillin si ditën kur pritet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të rezultatit zgjedhor, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.

Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.

Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.

Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.

Share This