Hummels para ndeshjes me Eintracht: Është si një finale
“Nesër është një ndeshje si finale. Do të jetë një ndeshje e rëndësishme në ‘Olimpico’. Le të shohim gjithashtu se si do të shkojnë ekipet e tjera në Ligën e Evropës. Shpresojmë që fakti që luajmë në shtëpi të na ndihmojë”.
Kështu u shpreh Mats Hummels, mbrojtësi i Romës, në prag të ndeshjes kundër Eintracht Frankfurt.
Roma dhe Eintracht do të përballen nesër mbrëma në kuadër të Europa League, ligë kjo e dyta për nga rëndësia në Evropë.
Qendërmbrojtësi gjerman përsëriti besimin e tij se skuadra mund të përfundojë mbi Lazion në renditjen e kampionatit dhe të fitojë Ligën e Evropës.
“I them këto gjëra sepse e shoh nga afër cilësinë e ekipit. Roma ka një skuadër të madhe, me lojtarë që do të luanin kudo. Natyrisht, këto nuk janë objektiva të lehtë, por unë i shoh gjërat nga brenda dhe për këtë arsye jam optimist”, ka thënë ai Hummels.
Ai ka folur edhe për kontratën e tij që skadon në qershor.
“Jam 36 vjeç dhe kam disa çështje edhe në jetën private. Do të më duhet ende kohë për të marrë një vendim”, ka përfunduar mbrojtësi gjerman.