Hoxhaj, i pikëlluar për vdekjen e Kaidanowit: Në muajin shkurt të 2008-s më tha ‘ndoshta në fundjavë do të shpallet pavarësia e Kosovës’
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryediplomati Enver Hoxhaj është shprehur i pikëlluar për vdekjen e ish-ambasadores së parë të ShBA-së në vendin tonë, Tina Kaidanow.
Me këtë rast, Hoxhaj ka treguar për herë të parë një bisedë që kishte pasur me Kaidanowin në muajin shkurt të vitit 2008.
“I pikëlluar mora lajmin për vdekjen e ish-ambasadores së ShBA-së në Kosovë, Tina Kaidanow. Ajo ishte një grua e fortë dhe një diplomate e zonja, e cila shërbeu në Kosovë në një kohë historike të saj dhe me të cilën kam bashkëpunuar ngushtë për shumë vite! Derisa isha pjesëmarrës i negociatave për pavarësinë e Kosovës në procesin e Ahtisaarit në Vjenë me disa kolegë të tjerë, Tinën e takoja në Prishtinë dhe shpesh më udhëzonte me këshilla të ndryshme në një kohë kur po lindte shteti ynë i pavarur. Kur procesi ishte përmbyllur, por Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk arriti pajtim të plotë për të mbështetur planin e Ahtisaarit në fund të vitit 2007, ishte Tina ajo që në muajin shkurt më tha ‘ndoshta në fundjavë do të shpallet pavarësia e Kosovës’, duke e përmendur 17 shkurtin si datë të mundshme! E kur pavarësia u shpall dhe Kosova nuk kishte ministri të jashtme, ishte Tina ajo që vinte shpesh në zyrën time dhe shpesh e takoja në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, për të organizuar vizita në vende të ndryshme, për njohje. Ndër takimet më të rëndësishme, ishte edhe Konferenca Islamike e OBI-së në Senegal, pa përmendur vendet tjera perëndimore”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Më tutje, Hoxhaj ka thënë se kontributi i Kaidanowit është i jashtëzakonshëm në forcimin e raporteve Kosovë-ShBA.
“E kujtoj ende gëzimin e saj dhe shkëlqimin e syve që kishte kur vendi i saj SHBA njohu pavarësinë e Kosovës dhe Tina ishte ajo që ia dorëzoi njohjen më të rëndësishme personalisht Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës! Aq shumë e donte Kosovën, sa falë vendosmërisë së saj, nënshkruam marrëveshjen e Fullbrihtit në mes të ShBA-së dhe Kosovës, duke e bërë të jashtëzakonshëm rolin e saj në ndërtimin e shtetit nga themele! Kur e përfundoi mandatin si ambasadore në Kosovë në vitin 2009, sa herë shkova në Uashington e takoja me punë e për darkë dhe dëgjoja këshillat e saj për Kosovën! Lajmi për vdekjen e saj më lëndoi shumë dhe çdo herë do ta mbaj në mendje dhe zemër kujtimin për të. Kontributi i saj i jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, do të mbetet gjithnjë i paharruar. Ajo e donte Kosovën dhe popullin e saj. Pushoftë në paqe!”, ka shkruar Hoxhaj.