
Hoxha: Arrestohen shtatë persona të dyshuar për vrasjen në Kaçanik
Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit në konferencën e mbajtur për media kanë konfirmuar se sot janë arrestuar 7 persona, si të dyshuar në përfshirje për vrasjen e policit Muhamet Lika.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, tha se në total 170 policë kanë marrë pjesë në aksion.
Hoxha tha se operacioni policor është kryer në orët e para të mëngjesit. Ai tha se janë bastisur nëntë lokacione, shumica në Kaçanik dhe një në Klinë.
“Janë arrestuar shtatë persona të dyshimtë të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe në ekzekutimin e rreshterit tonë”, tha ai.
Ai shtoi se të dyshuarit janë duke u intervistuar.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj Burim Çerkini, tha se prokuroria që nga fillimi ka punuar të zbardhur këtë rast, raporton rtk.